Vr*sja e turistit portugez në Ksamil, policia bën zbulimin e fortë, detajet ja çfarë zbuluan pamjet filmike
Forcat e rendit në Sarandë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së ftohtë, e cila dyshohet se është përdorur për vrasjen e 21-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes, brenda ambienteve të hotelit Principotes.
Kjo thikë, që konsiderohet si arma e dyshuar e krimit të kryer nga Sokrat Vata, është marrë nga policia si provë materiale. Ndërkohë, dy ditë më parë, 29-vjeçari Vata u la në burg nga Gjykata e Sarandës, e cila vendosi masën e sigurisë ndaj tij.
Ngjarja më 18 gusht
I gjithë incidenti tragjik që i mori jetën turistit portugez, Luis Miguel Varela Mendez, në zonën e Ksamilit, zgjati vetëm 6 minuta. Regjistrimet nga kamerat e sigurisë kanë ofruar një pasqyrim të plotë të asaj që ndodhi në datën 18 gusht. Në fillim, disa pushues dolën nga lokali “Principotes”, ndërkohë që pas pak aty mbërritën David Heurtevent dhe Sokrat Lipan, i njohur edhe si Vata.
Konflikti nisi fillimisht me shtytje, por më pas situata precipitoi në dhunë fizike. Sokrat Vata u identifikua duke ndjekur dhe goditur një prej personave, ndërsa Luis Mendes ndërhyri në përleshje duke shtyrë 29-vjeçarin. Pasi përplasja vazhdoi mes disa personave, Mendes u largua me shpejtësi duke u futur në det.
Pak minuta më pas, turisti doli nga uji me shenja gjaku në bluzë dhe u drejtua nga shezllonet. Imazhet e kamerave fiksuan edhe përplasje të tjera, si dhe largimin e personave nga vendngjarja.
Në orën 05:20:28, Sokrat Lipan u largua drejt “Principotes”, i shoqëruar nga një punonjës i lokalit. E gjithë dinamika, bazuar në kronologjinë e kamerave, u mbyll brenda 6 minutash, ndërsa procesi hetimor po vijon për të përcaktuar përgjegjësitë për ndarjen nga jeta të shtetasit portugez.
Kronologjia
Në orën 05:14:24 të datës 18 gusht 2026, disa individë dolën nga lokali "Principodes" dhe qëndruan pranë hyrjes së ambienteve të jashtme të subjektit “Paradise”, ku mes tyre u dalluan Ibrahim Lemoie, Sudae Akmahmat, Florian Cetina dhe Luis Mendes, ky i fundit i veshur me një bluzë të bardhë me shkrim të zi në shpinë.
Në orën 05:15:22, nga pjesa e parkimit në anën jugore të “Principotes”, u afruan dy persona: David Heuertvent në krye dhe Sokrat Lipan (Vata), i cili mbante një këmishë të bardhë, drejt vendit ku ndodheshin turistët.
Në orën 05:16:39, Sokrat Lipan (Vata) u përfshi në një shtytje me një individ të veshur me bluzë të bardhë, për t’u larguar më pas në drejtim të shezlloneve.
Në orën 05:16:47, Sokrat Lipan u pa duke ndjekur personin me rroba të bardha në drejtim të parkingut.
Në orën 05:16:54, Sokrat Lipan (Vata) vrapoi drejt Ibrahim Lemoie, i cili pas përplasjes me shezllonet ra në tokë, moment në të cilin Vata e goditi.
Në orën 05:17:14, Luis Mendes ndërhyri duke shtyrë Sokrat Lipan, i cili ra në tokë. Pas ngritjes, Vata iu afrua Mendesit dhe nisi ta godiste.
Në orën 05:17:20, David Heuertvent, i veshur me tuta të shkurtra dhe një këmishë të errët, iu bashkua Sokrat Lipanit (Vata) për të goditur Luis Mendes. Në këtë çast, Sudae Akhmat ndërhyri për ta ndihmuar shokun e tij, Mendes, duke goditur Sokrat Vatën.
Në intervalin 05:17:35-05:17:46, Serxhi Selimi goditi me grushte francezin Ibrahim Lemoie, ndërsa Luis Mendes, për t’u shpëtuar goditjeve të Sokrat Lipan dhe David Heurtevent, u largua me nxitim drejt detit.
Në orën 05:17:53, Luis Mendes u afrua në anën jugore të plazhit, ku u godit me grushte nga Serxhi Ademi, i cili bashkë me të tjerët e shtynë drejt detit.
Në orën 05:18:04, Luis Mendes doli nga uji dhe, teksa ecte drejt shezlloneve të “Paradise”, u vu re se kishte njolla gjaku në bluzën e bardhë.
Në orën 05:18:24, David Heuertvent u largua drejt ambienteve të brendshme të Principotes, ku u dallua se kishte njolla gjaku në pjesën e përparme të rrobave dhe ishte duke u fshehur.
Në orën 05:20:28, Sokrat Lipan (Vata) u largua me rroba të gjakosura, i shoqëruar nga kamerieri Igli Cekani në drejtim të lokalit “Principotes”.
Personat e përfshirë
1. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
2. Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
3. Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
4. Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
5. Ervis Bunci – kamerier në lokal.
6. Ildi Cekani – kamerier në lokal.
7. Murat Zhabina – kamerier në lokal.
8. Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar.
9. Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar.
10. Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
11. Kristi Koshi – i arrestuar.
12. David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
13. Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.
