Pas 7 muajsh në detyrë, jep dorëheqjen nga detyra zyrtari i lartë
Adriatik Kupi ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pas shtatë muajsh në drejtimin e këtij institucioni.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kupi tha se kjo periudhë ishte e vështirë, për shkak të problemeve që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimeve që duhej të merreshin me përgjegjësi.
Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit në detyrë, puna e tij ishte përqendruar te forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit penitenciar. Sipas tij, përparësi kanë qenë gjithashtu rritja e përgjegjshmërisë, profesionalizmi i punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.
Kupi theksoi se një sistem penitenciar modern duhet të garantojë respektimin e të drejtave të personave të dënuar, transparencën dhe mundësitë për rehabilitim e riintegrim në shoqëri.
Në mesazhin e tij, ai u ndal edhe te kritikat dhe kundërshtimet me të cilat është përballur gjatë kësaj periudhe, duke thënë se është përpjekur t’i dëgjojë ato dhe të vijojë punën përballë pengesave.
Në përfundim, Kupi falënderoi Ministrinë e Drejtësisë, ministrin Toni Gogu, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe bashkëpunëtorët për besimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë shtatë muajve në detyrë.
Ai u shpreh se largohet me respekt për përgjegjësinë që i ishte besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë për ndërtimin e një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.

