Kush do të jetë moderatorja e re e Për’puthen? Dy ish-banoret e BBV në garë
Në ambientet mediatike po diskutohet gjerësisht mbi emrin e moderatores që do të marrë stafetën në sezonin e ardhshëm të “Për’puthen”, pas konfirmimit se Megi Pojani nuk do të jetë më pjesë e tij. Edhe pse është bërë i ditur largimi i saj, ende nuk është konfirmuar zyrtarisht kush do të jetë personi që do ta pasojë.
Spekulimet kanë nisur të marrin dhenë, teksa dy kandidatet kryesore që po përmenden janë Heidi Baci dhe Selin Bollati, të cilat publiku i njeh mirë nga pjesëmarrja e tyre në “Big Brother VIP Albania”.
Duke qenë se ka qenë pjesë e edicionit të tretë të “Big Brother VIP Albania”, Heidi Baci tashmë ka ndërtuar një profil në moderimin e programeve në Top Channel. Përveç kontributit të saj në “Goca dhe Gra”, ajo ka drejtuar “Big Brother VIP Fan Club”, ndërsa rishtazi është parë edhe në “Wake Up”.
Nga ana tjetër, në listën e emrave të përfolur gjendet edhe Selin Bollati, e cila pas triumfit të saj në “Big Brother VIP Albania 5” ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes mediatike.
Aktualisht, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Top Channel për të qartësuar se cila prej tyre është më pranë marrjes së këtij formati.
Ndryshimi kryesor që pritet të shënohet në sezonin e ardhshëm lidhet pikërisht me drejtimin e emisionit, pasi Megi Pojani e mbajti këtë rol që nga viti 2023.
Gjithçka mbetet e paqartë deri në nisjen e programacionit të ri, kur do të mësohet nëse do të jetë njëra prej dy të lakuarave apo dikush tjetër që do të marrë drejtimin e “Për’puthen”.
