Jonida Vokshi tregon arsyen e largimit nga moderimi i BBVK
Jonida Vokshi ka vendosur të mos rikthehet në moderimin e edicionit të pestë të “Big Brother VIP Kosova”. Pas katër sezoneve të suksesshme në këtë rol, ajo ka zgjedhur të bëjë një pauzë, arsyet e së cilës i ka shpjeguar në një postim në Instagram.
Ajo theksoi se BBVK ka qenë një pjesë e rëndësishme e disa viteve më intensive të jetës së saj, duke përfshirë sfida si shtatzënia dhe humbja e babait. Ky format ka krijuar një lidhje të veçantë me audiencën dhe ka sjellë emocione të shumta për të.
Tani, moderatorja ndjen nevojën për të ngadalësuar ritmin e jetës dhe të kalojë më shumë kohë me familjen. Dy fëmijët e saj janë një nga faktorët kryesorë që e kanë motivuar atë të marrë këtë vendim.
“Dy zëra më thërrasin mami. Ata po rriten dhe unë jam gjithmonë duke vrapuar”, ka shkruar Jonida, duke shpjeguar dëshirën për t’u kushtuar më shumë kohë atyre.
Përveç angazhimeve familjare, ajo po ashtu dëshiron të fokusohet në disa projekte personale që ka planifikuar prej një kohe të gjatë. Kështu, largimi nga BBVK nuk nënkupton braktisjen e televizionit ose të profesionit.
Vetë Jonida ka lënë të hapur edhe mundësinë e një rikthimi në të ardhmen. “Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, shkroi ajo, duke e cilësuar vendimin më shumë si një pauzë sesa si një lamtumirë përfundimtare.
Përfundimisht, ajo i uroi Alaudin Hamitit dhe Olsa Muhametit fat të mbarë për edicionin e ri. Pas largimit të saj, vazhdon të mbetet e paqartë se kush do t’i bashkohet Alaudinit në drejtimin e “Big Brother VIP Kosova 5”.
