Arbër Hajdari drejt largimit nga BBVA 6? Çfarë dihet për ndryshimet në panel

TvShow

“Big Brother VIP Albania 6” nuk ka bërë ende startin e tij, megjithatë thashethemet mbi risitë e mundshme të sezonit kanë kohë që po qarkullojnë.

Në qendër të spekulimeve të fundit është pozicioni i Arbër Hajdarit si opinionist në këtë format. Bazuar në zërat që po përhapen në internet, ai mund të mos jetë pjesë e skuadrës për edicionin e gjashtë. Gjithsesi, Top Channel nuk ka konfirmuar asgjë zyrtarisht, kështu që formacioni i panelit mbetet ende në pikëpyetje. Hajdari është ndër figurat me jetëgjatësi më të madhe në këtë rol për “Big Brother VIP Albania”, ndërsa në sezonin e kaluar ai bashkëpunoi me Monika Kryemadhin, me të cilën ishte i pranishëm edhe në natën finale të 18 prillit.

Përflitet gjithashtu mundësia e përfshirjes së Alketa Vejsiut në panel për BBVA 6, një emër që u përmend shpesh gjatë muajit gusht. Në media u hodh ideja se ajo mund të ishte një shtesë si opinioniste e tretë ose të zinte vend krah Hajdarit.

Ndërkohë, ende nuk ka informacione të prera lidhur me datën e fillimit apo listën e banorëve që do të banojnë në shtëpi.

Për sa i përket prezantimit, situata është më e qartë, pasi Ledion Liço konfirmoi qëndrimin e tij gjatë finales së edicionit të pestë duke u shprehur: “Po, do të jem vitin që vjen, shihemi”.

Sezoni i gjashtë i BBVA mbetet për t’u zbuluar, ndërsa vëmendja përqendrohet te vendimi përfundimtar: a do të heqë dorë Arbër Hajdari nga karrigia e opinionistit pas kaq shumë kohësh?

Lajmet e fundit